Ekrem Krasniqi, gazetari që ishte pjesë e konferencës së komisionarit për zgjerim dhe fqinjësi, Olivér Várhelyi, veçoi për Klan Kosova disa pika kryesore të raportit të publikuar sot nga Komisioni Evropian.
Ai u shpreh se aty u tha që Kosova duhet të bëjë më shumë në betejën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, pastaj dhe në zhvillimin ekonomik. Po ashtu se u përsërit çështja e vizave dhe këtu na janë përmendur sërish kritikat lidhur me dialogun me Serbinë.
“Nëse shihet më gjerësisht, te 16 kriteret politike ne kemi marr nota të përparimit të kufizuar në 11 pika, pastaj notë pozitive në 3”.
Krasniqi po ashtu tha se nuk sheh asnjë lëvizje nga shtetet anëtare të BE-së për çështjen e heqjes së vizave për Kosovën para zgjedhjeve në Francë dhe se e shqetëson ajo që mund të kërkohet nga Kosova si këmbim për liberalizim të vizave.
“Por çka na kërkohet në shkëmbim të vizave? Këtu dalim te çështja e Asociacionit të Komunave Serbe, e cila nëse pranohet në versionin në të cilin po na kërkohet apo në çfarëdo versioni tjetër dhe në çfarëdo mënyrë që do të mund të kamuflohet nga Bashkimi Evropian apo nga autoritetet në Kosovë, Kosova do të ketë pasoja të rënda dhe do ta përjetojë fatin e Bosnjës, e cila momentalisht është drejt kolapsit total, edhe politik edhe territorial”.
“Në muajin maj kemi gjetur nga një burim i një prej shteteve se zyra e përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, tashmë është duke tentuar dhe është duke punuar që të bëhet ndonjë lëvizje në të mirë të heqjes së vizave në shkëmbim të rezultateve që po na kërkohen në dialog për asociacionin në fjalë. Situata e krijuar e asociacionit dhe vizave, nga burimet që i kemi, është shumë e lidhur ngushtë”, tha ai gjatë emisionit Info Magazine në Klan Kosova.






