Partia Socialdemokrate (PSD), e cila në zgjedhjet lokale të 17 tetorit garoi vetëm në komunën e Kamenicës, ka reaguar për procesin zgjedhor.
Në një komunikatë për media, PSD thotë se inflacioni politik sjell rënie elektorale, duke përmendur kështu Lëvizjen Vetëvendosje.
“Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale përfundoi. Ishte vërtetë rreth. Pa garancë, pa domosdoshmëri, pa krye. Rreth i fushës së hapur, i demokracisë. Leximi i parë i rezultateve pashmangshëm të çon tek dallimi i madh midis këtyre zgjedhjeve, dhe atyre që sollën pushtetin “Krejt dhe drejt!” Shumica flasin për dallimin midis zgjedhjeve lokale dhe atyre qendrore, duke argumentuar pastaj mbi mungesën e emrave e kuadrove për pushtetin “Krejt dhe Drejt!” Nëse pushteti i “referendumit” nuk paska kuadro, kjo nuk flet mirë për të as në nivelin qendror”, thuhet në komunikatë.
Sipas PSD-së, nga Mimoza Kusari tek Agim Bahtiri, për LVV-në rëndësi ka vija e rreshtit dhe mundësia për sukses.
“Mbi të gjitha, kjo vetëm rastësi nuk mund të jetë. Pushteti “Krejt dhe Drejt!” është i reduktuar dhe i mbyllur tek një emër. Duke qenë kështu, ky është rezultati më i logjikshëm i bazës ideologjike e organizative të VV-së. Ndaj, qoftë suksesi, qoftë dështimi i atribuohen një emri të përveçëm. VV nuk njeh nocione si shumësia apo autonomia. Njeh rreshtin e bindjes, pavarësisht ideologjisë”, thuhet tutje.
Tutje PSD thotë se “ i rëndë dhe me pasoja do të jetë inflacioni që Albin Kurti i ka shkaktuar fjalorit politik”.
“A nuk ishte rrëqethëse të dëgjosh thirrjet për besnikëri teksa përkrahej Mimoza Kusari. Instrumentalizim e degradim i rëndë është edhe përdorimi i veglave si metaforë për frymëzim politik. Motorët e turbinat mund të tregojnë shpejtësi e efikasitet, por jo mendje e shpirt”.
PSD konsideron se gabimet e pushtetit aktual nuk do të mund të arsyetohen nga analogjia me gabimet e pushtetin të kaluar.
“Politika bëhet tash dhe këtu!”
“Siç duket ka një mosmarrëveshje mbi leximin e rezultateve të 14 shkurtit. Qytetarët nuk kanë votuar për ta zëvendësuar njerëzit duke vazhduar padrejtësitë. Ata janë hapa larg edhe nga shumë analiza të studiove televizive”, thuhet në fund






