Minatorët e Trepçës e vërshuan objektin e kryeshefit të ri, të hënën. Por jo për përhajr.
Ata shkuan për t’i kërkuar llogari menaxhmendit të ndërmarrjes, për ndërrimin e kryeshefit, vendim ky që i futi në grevë që nga e premtja.
Por aty nuk u shkëmbyen vetëm muhabete, por edhe të shara e grushte.
Për pasojë, morën lëndime ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmani, drejtori i Administratës, Besim Haxhiu, dhe dy policë. Të katërtit morën tretman mjekësor në emergjencën spitalore në Mitrovicë.
I posaemëruari e fajëson paraardhësin e tij Rafet Ibishi, për këtë sulm kolektiv. Ky dhe dy të tjerë tashmë gjenden në mbajtje, në stacionin policor.
Ky thotë se, po të mos vinte policia pasi e lajmëroi, do ta pësonte edhe më keq.
Abdurrahmani u zgjodh në këtë pozitë nga bordi drejtues i Trepçës, pasi ky i fundit e shkarkoi Ibishin për shkak të mosnënshkrimit të terminalit shtetëror për të cilin vendosi qeveria.






