Lokale - eSIMy

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, edhe pse me një fushatë të tij të gjatë, ka marrë vetëm rreth 1 mijë e 500 vota në Podujevë, shkruan Llapi.info.

Përkundër këtij rezultati, Tahiri ka thënë se nuk ndihet i dëshpëruar dhe as i zhgënjyer, derisa ka uruar për rezultatet dy kandidatët që do të përballen në balotazh.

“Falënderoj ekipin tim, listën që më ka bërë të ndihem krenar për punë e tyre. Falënderoj ekipet që kanë qenë në terren me mua. Shumë prej jush mendoni se jam i dëshpëruar apo edhe i zhgënjyer. Por jo, nuk jam as i dëshpëruar e as i zhgënjyer. Krejt çka kam dhe di i kam prezantuar para jush me një punë tetë mujore. Vendimi është i popullit. Uroj të dy kundërkandidatët që janë në balotazh për punën dhe rezultatin e tyre. Falënderoj edhe kandidatët tjerë. Tash është një kohë kur secili prej nesh duhet të reflektojë. Unë vazhdoj të besoj që programi im ka qenë shpëtimi i Podujevës, por ky nuk ka qenë mendimi i votuesve. Uroj që Podujeva të bëhet më e mirë dhe më e bukura”, ka thënë Tahiri në një konferencë.

Sipas rezultateve të KQZ-së, Ekremi Hyseni i LDK-së prin me 16.451 vota, 113 vota më shumë se Shpejtim Bulliqi i VV-së, i cili ka 16.383 sosh. Në vendin e tretë, sipas rezultateve të KQZ-së, është radhitur Floretë Zejnullahu e PDK-së me 2.422, e pasuar nga Besnik Tahiri me 1.479 vota./Llapi.info