Lokale - eSIMy

Është duke vazhduar pa ndonjë parregullsi procesi zgjedhor në Komunën e Podujevës, shkruan Llapi.info.

Deri në ora 11:00 në të gjitha qendrat e vendvotimit në këtë Komunë kanë votuar 6 mijë e 293 qytetarë, apo 7.64 për qind.

Në Komunën e Podujevës janë 45 qendra me 111 vendvotime. Të drejtë vote kanë 83 mijë e 562 qytetarë.

Në anën tjetër, sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të përditësuara në ora 11:00, deri tani kanë votuar në Kosovë 73 mijë e 928 qytetarë.

Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00, ndërkaq në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.

Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime./Llapi.info