Ka mbërritur para pak minutash materiali zgjedhor edhe në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
I njëjti është shpërndarë nëpër pika të votimit, nën përcjellje të Policisë së Kosovës. Të drejtë vote në Podujevë, sipas KQZ-së, kanë 83 mijë e 562 qytetarë. Në këtë Komunë janë 111 vendvotime.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, tha se çdo gjë po shkon sipas planifikimeve që kanë bërë.
“Sipas planifikimeve, KQZ po bënë shpërndarjen e materialit kryesor zgjedhor në mesin e të cilave janë edhe fletëvotimet, pra është material për zgjedhjet lokale. Ky material i rëndësisë së veçantë nën përcjelljen e Policisë do të dërgohet në depot e komisioneve komunale në 38 komuna”, tha ai.
KQZ-ja kohë më parë ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila tregon për numrin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021, ndërsa numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues.
KQZ njofton se prej 41 mijë e 12 votues, 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban:
– 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.
– Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime./Llapi.info






