Kandidati i VV-së për kryetar të Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, e ka cilësuar pozitive qeverisjen e tij përgjatë nëntë muajve në krye të Komunë, shkruan Llapi.info.
Ai në debatin me kundërkandidatët ka thënë se gjatë mandatit të tij plotë, Podujevës, sipas tij, do t’i shtohen objekte të reja shëndetësore, arsimore dhe infrastrukturore.
“Gjatë kësaj periudhe kohor kemi bërë punë të mira, projekte të cilat po realizohen dhe po zgjedhin problemet e qytetarëve. Ndryshimi ndodhi në Podujevë dhe këtë ndryshim po përqafojnë llapjanët. Në këtë periudhe të shkurtë është bërë punë e mirë në interes të qytetarëve. Ne kemi hartuar një program qeverisës me ekspertë të fushave. Duke filluar nga arsimi, i cili duhet avancuar më tutje. Ndërtimin e infrastrukturës shkollore në lokalitet që kanë nevojë, siç janë; Dumoshi, Lluga, Obrança”, është shprehur ai.
“Në Podujevë tash e 20 vite ka pasur vetëm një çerdhe, kurse tash ka nisur një tjetër në ndërtim. Në infrastrukturë janë parapara disa projekte, siç janë; stacioni i autobusëve, tregu i gjelbër ku do të vendoset tek stacioni aktual i autobusëve. Ndërtimi i urgjencës së qytetit në formë donacioni, ku jemi në prag të nënshkrimit të memorandumit në vlerë 1 milion euro. Planifikojmë gjatë këtij mandati ndërtimin e parkingut nëntokësor. Në sport dhe kulturë do të ngrisim qendra të reja sportive bashkërisht me një shtëpi të kulturës. Do të financojmë në teatër. Së bashku me qeverinë do ta shtyjmë përpara funksionalizimin e Spitalit të Podujevës. Rëndësi do t’i shtojmë edhe gjelbërimit”, ka thënë Bulliqi.
Më tej, i pari i Podujevës ka thënë se përgjatë këtyre muajve, Komuna është vlerësuar për transparencë, pa pasur vërejtje.
“Për nëntë muaj kemi dhënë shembuj të mirë. Është Komuna e cila ka menaxhim të mirë, ku s’kemi asnjë formë të ankesave apo vërejtjeve. Po arrijmë të marrim donacione. Një milion është investim donacion për ndërtimin e lagjes së re. Po ashtu jemi në prag të memorandumit për ndërtimin e urgjencës së qytetit, i cili kap po ashtu edhe 1 milion euro”, tha Bulliqi./Llapi.info






