Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se qytetarët llapjanë duhet ta mbështetin kandidaten e kësaj partie, Floretë Zejnullahu, në zgjedhjet e 17 tetorit, shkruan Llapi.info.
Këto komente Krasniqi i ka bërë me rastin e vizitës së bërë degës së kësaj partie në Podujevë, ku ka thënë se ka parë mobilizim të jashtëzakonshëm.
“Sot, në Podujevë, bashkë me kandidaten tonë për kryetare të kësaj komune, Floretë Zejnullahun, vizituam Klubin Futbollistik “Llapi” në stadiumin “Zahir Pajaziti” dhe kompaninë e njohur llapjane “Ananas – Impex”, ku shpalosëm planin e Partisë Demokratike të Kosovës për sportistët dhe bizneset, për katër vitet e ardhshme. U takuam edhe me themelues e aktivistë të kahmotshëm të partisë, ku pashë mobilizim të jashtëzakonshëm për ta mbështetur Floretën dhe kandidatët tonë për Asamblenë Komunale. Mbrëmjen e kaluam me të rinj e të reja të Podujevës që tashmë kanë vendosur ta mbështesin Floretën, si kandidaten më përfaqësuese të tyre. Më 17 tetor, llapjanët duhet të bëhen bashkë dhe ta votojnë numrin 177, për të sjellë ndryshimin aq të nevojshëm në Podujevë. Për një qeverisje vizionare, zhvillimore e transparente, për të gjithë qytetarët, pa dallim”, ka shkruar ai./Llapi.info






