Lokale - eSIMy

Në Samitin në Slloveni në mes të krerëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka thënë se janë të përkushtuar për integrim dhe anëtarësim të plotë të Ballkanit Perëndimor në Union.

Para mediave, Varhelyi foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme. Udhëheqësit tanë jo vetëm që do të konfirmojnë, por gjithashtu do ta bëjnë shumë të qartë se ne jemi të përkushtuar për integrimin dhe anëtarësimin e plotë të pjesës tjetër të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Ne duhet të marrim përgjegjësitë dhe vendimin që na dërgon në këtë, që nënkupton nisjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, hapjen e negociatave me Serbinë, përshpejtimin e punës tonë me Bosnjë dhe Hercegovinën që të jetë vend kandidat dhe nisjen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha ai.

Ai tha se pikë tjetër kyçe e këtij Samiti do të jetë edhe do të jetë rimëkëmbja ekonomike pas krizës së koronavirusit.

Sipas tij, BE-ja do të rikonfirmojë sot në Samit vazhdimin e ndihmës për luftimin e pandemisë.

“Sot ne do të rikonfirmojmë vazhdimin e ndihmës tonë për luftimin e pandemisë COVID-19 dhe gjithashtu ndihmën tonë në shpërndarjen e vaksinave dhe ndihmën shtesë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Varhelyi. /Zëri