Një rrahje mes disa personave ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në rrugën “Bedri Bajrami” në Podujevë, raporton Llapi.info.
Si pasojë e kësaj përleshjeje kanë mbetur të lënduar tre persona, njëri prej tyre i therur me thikë. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 12 :00, kemi marrë informatën se në rrugën “Bedri Bajrami” në Podujevë, ka një përleshje fizike ku janë përfshirë disa persona. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bazuar në të dhënat fillestare në këtë rast, lëndime trupore kanë pësuar tre persona, njëri prej tyre dyshohet të ketë marrë lëndime nga një mjet i mprehtë(thikë). Personat e lënduar të përfshirë në këtë rast aktualisht janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërkohë që hetuesit policor kanë nisur një hetim lidhur me personat në fjalë dhe rrethanat që karakterizojnë këtë rast”, ka thënë Ahmeti.
Siç mëson Llapi.info, ngjarja ka ndodhur afër parkut të pishave./Llapi.info






