Lokale - eSIMy

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me anëtarë të ekzekutivit, priti sot në takim përfaqësuesit e Institutit për Politika Zhvillimore – INDEP dhe“Marakli t’Biciklave” me të cilët biseduan për përmirësimin e infrastrukturës për ngasësit e biçikletave, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.

Bazuar në memorandumin e bashkëpunimit të nënshkruar ditë më parë me “Marakli t’Biciklave” kryetari Bulliqi tha se Komuna e Podujevës do të caktojë shtatë lokacione për vendosjen e vend-parkingjeve për biçikleta.

Ky projekti do të realizohet në kuadër të bashkëpunimit mes “Marakli t’Biciklave” dhe Institutit për Politika Zhvillimore – INDEP, bazuar në projektin rajonal dhe të mbështetur nga Organizata qeveritare gjermane GIZ.

Objektivi kryesor i projektit është krijimi i disa vend-parkingjeve të cilat do ta lehtësonin përdorimin e biçikletave në përditshmëri, duke reduktuar kështu numrin e makinave dhe rrjedhimisht, duke ndikuar në ruajtjen e mjedisit.

Duke synuar promovimin e përdorimit të biçikletave dhe lehtësimin e jetës së përdoruesve aktual, ekipi i projektit në bashkëpunim me bizneset vendore do të ndërtojë shtatë vend-parkingje në pikat:

Afër shkollës “Naim Frashëri”, te Stacioni i Autobusëve, afër Stadiumit të Qytetit, te shkolla “Enver Maloku”, në Parkun e Qytetit, afër Parkut të Pishave dhe afër Stacionit të Policisë./Llapi.info