Lokale - eSIMy

Ekipet mjekësore në Qendrën e Vaksinimit kanë administruar rreh 60 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19 në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama, ka thënë për Llapi.info se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër virusit korona ka qenë më në masë i të moshuarve.

“Deri më datë 25.09.2021, në Podujevë janë të administruara 88 mijë e 528 doza të vaksinave anti-covid. Interesimi është i njëjtë. Ka të interesuar të vaksinohen. Moshat e vjetra është përqindja më e madhe që janë vaksinuar. Tash lajmërohen numër më i madh i qytetarëve me moshë mesatare dhe moshat e reja. E kanë kuptuar se preventiv kundër COVID-19 është vaksinimi”, është shprehur Rama.

Në anën tjetër, sot janë regjistruar edhe tetë raste pozitive me koronavirus në Podujevë. Gjatë 24 orëve të fundit nuk është raportuar asnjë viktimë me COVID-19, kurse janë shëruar 25 pacientë. Numri i rasteve aktive në këtë komunë ka rënë në 187.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në 7,214. Deri tash janë raportuar 91 viktima, ndërkohë që 6,936 pacientë janë shpallur të shëruar. Rasti i parë me COVID-19 në Podujevë ishte regjistruar më 15 mars të vitit 2020. Po në këtë Komunë ishte shënuar edhe vdekja e parë në Kosovë me COVID-19. Viktima ka qenë më 22 mars./Llapi.info