Lokale - eSIMy

Më 30 shtator pezullohet vendimi i Kuvendit të Komunës së Podujevës që t’u lejohet puna të gjitha bizneseve në këtë Komunë, shkruan Llapi.info.

Vendimi ishte marrë në një seancë të Kuvendit Komunal në muajin korrik, ndërkohë që i njëjti është në fuqi deri më 30 shtator, e që rrjedhimisht i bie se sot është e diela e fundit që u lejohet puna bizneseve në Llap.

“Kohëzgjatja e pezullimit sipas nenit 1 të këtij vendimi, respektivisht lejimi që dita e diele të jetë ditë pune për subjektet afariste/bizneset, bëhet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi deri më 30 shtator 2021”, thuhej në vendim.

Tutje thuhet se deri tek vendim që të operojnë bizneset edhe gjatë ditë së diele ka ardhur pas dëmeve ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID-19.

“Arsyeja e pezullimit të neneve të cekura, përkatësisht lejimi i punës dhe ditëve të diela për subjektet afariste/bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës, është ofrimi i mundësive për afarizëm dhe qarkullim të bizneseve me qëllim të ngritjes së tyre si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19, furnizim dhe shërbime të rregullta për qytetarët në këtë periudhë verore kur pritet edhe ardhja e një numri të madh të bashkatdhetarëve për pushime në Kosovë”, thuhej tutje.

Në një seancë të mbajtur në Kuvendin Komunal, me kërkesë të kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi, ishte marrë vendim që të pezullohet pjesa e Rregullores për orarin e punës te pjesa ku e ndalonte punën ditën e diel. Kjo ndalesë do të vlejë deri më 30 shtator, ndërsa deri atëherë do të punohet në plotësim-ndryshimin e kësaj Rregulloreje.

Me këtë vendim ishin shprehur të pakënaqur disa pronarë të bizneseve, të cilët me protestë e kanë kundërshtuar këtë./Llapi.info