Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi është shprehur optimist në fitoren e kësaj partie në Komunën e Podujevës, shkruan Llapi.info.
Gashi, duke shtuar se kjo nuk mund të arrihet lehtë, ka deklaruar se ka lëvizje të qëndrimeve te elektorati në këtë Komunë, pasi që siç ka thënë ai, tërë industria shtetërore është orientuar në këtë Komunë.
“Podujeva është në një proces jashtëzakonisht të mirë. Besoj se LDK-ja do të fitojë, por jo lehtë në raundin e parë, pasi kanë ndodhur disa fenomene që ka lëvizje të qëndrimeve të elektoratit për shkak se industria shtetërore është e orientuar në Podujevë”, ka thënë Gashi në RTV Dukagjini.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor. Në garë për kreun e Podujevës janë Shpejtim Bulliqi i VV-së, Ekrem Hyseni i LDK-së, Floretë Zejnullahu e PDK-së, Besnik Tahiri i AAK-së, Xhemajl Hasani i Nismës dhe Gazmend Islami i Ballit Kombëtar Demokrat./Llapi.info