Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se gjendja në veri kërkon veprime shtetërore që janë të matura dhe të koordinuara me partnerët ndërkombëtare.
Hoti ka thënë se çdo qasje tjetër është e dëmshme dhe se sovrantiteti duhet ushtruar në koordinim me familjen e shteteve euro-atlantike.
Reagimi i tij vjen pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që erdhi si pasojë e djegies së Qendrës së Automjeteve në Zubin Potok dhe sulmit me bomba në ndërtesën komunale në Zveçan.
“Gjendja në veri kërkon veprime shtetërore që janë (i) të matura e të menduara deri në fund, (i) të koordinuara plotësisht me partnerët ndërkombëtarë dhe (iii) konsistete. Çdo qasje tjetër është e dëmshme. Kosova është sovrane në vendimet e saj. Por, sovraniteti duhet ushtruar në koordinim me familjen e shteteve euro-atlantike ku synojmë të integrohemi, pasi janë këto shtete që na qëndrojnë në krah dhe na garantojnë ushtrimin e sovranitetit nga vetë ne”, ka shkruar Hoti në Facebook.






