Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në ditën e parë të nisjes së zbatimit të reciprocitetit për targat e përkohshme, shteti ka lëshuar 1455 sosh.
Vendimi u respektua në shumicën e pikave kufitare, pos dy në veri të vendit, ato në Bërnjak dhe Jarinjë, ku qytetarë serbë kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi është kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në nivel vendi”, thuhet në njoftim teksa apelohet që qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare në vend të Bërnjakut dhe Jarinjës.
MPB-ja dhe Policia kanë thënë se situata në vend është e qetë.






