Zyrtari i AAK-së, Selim Selimi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të refuzojë projektin e MCC-së për tubacionin e gazit natyror në Kosovë.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga çdo lloj refuzimi lidhur me këtë projekt, derisa ka thënë se nëse refuzohet ky projekt, atëherë do të thotë se jemi kundër Amerikës.

“Pozicioni ynë si kontribuues në politikën globale të SHBA-ve vjen me vendosmërinë tonë për të qenë besnikë dhe politikisht aktivë ndaj vlerave që të dy vendet tona përqafojnë. Nëse refuzojmë tubacionin e gazit do të thotë se jemi kundër SHBA-ve. Unë i bëj thirrje qeverisë sime që të përmbahet nga çdo akt refuzimi”, ka shkruar Selimi në Twitter.

Gjatë ditës së djeshme, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net” ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është duke i vazhduar diskutimet për tubacionin e gazit me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit.

“Nuk ka asnjë projekt në shqyrtim të lidhur me qeverinë amerikane për të sjellë gazin amerikan në Kosovë. Megjithatë, Qeveria e Kosovës dhe Korporata Financiare e Mijëvjeçarit po shqyrtojnë një projekt të propozuar si pjesë e një serie propozimesh për një kompakt të ri që do të ndihmonte Kosovën në lidhjen me një tubacion ekzistues të transmetimit të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut”, është thënë në përgjigjen e zëdhënësit Brassil për Gazetën Online Reporteri.net.

Lidhur me këtë projekt për Reporteri.net gjatë ditës së djeshme kanë folur edhe nga Qeveria e Kosovës, duke demantuar raportimet se është refuzuar projekti i MCC-së për tubacionin e gazit natyror në Kosovë.