Këtë javë, Gjykata Speciale për krime lufte nisi procesin e parë ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa. Përveç Mustafës të akuzuar tjerë janë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e të tjerë. Ata po përballen me akuzat se kanë qenë të përfshirë në krime lufte.
E pyetur se çfarë pret nga Gjykata Speciale, në aspektin jo vetëm juridik, të drejtësisë, por edhe në aspektin e pajtimit të brendshëm të shoqërisë dhe të paqes në rajon ajo tha se drejtësia ndërkombëtare do ta nxjerrë edhe një herë Kosovën faqebardhë.
“Mendoj që është e domosdoshme që të ketë procese të pavarura, të paanshme dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet e Kosovës. Sepse është pikërisht Kushtetuta jonë dhe këto ligje, që e kanë themeluar këtë gjykatë apo Dhomat e Spezializuara, siç njihen dhe janë themeluar, me përkrahjen e madhe të Parlamentit të Kosovës në atë kohë, me më shumë se dy të tretat. Dhe ky ka qenë një akt ku Kosova ka dëshmuar se, jo vetëm që nuk i frikësohet drejtësisë ndërkombëtare, por bashkëpunon me drejtësinë ndërkombëtare, sepse e vërteta e Kosovës ka ndodhur para syve të të gjithë botës. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe nuk lejojmë asesi që këto tendenca për rishkrimin e historisë të shkojnë përpara, sepse asesi nuk mund të pranojmë që të krijohet një barazi morale mes asaj çfarë ka bërë regjimi i Milosheviçit, si sistem i sponsorizuar nga shteti, i cili ka kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, dhe çfarë mund të ketë ndodhur me disa individë pas luftës. Ato asnjëherë nuk kanë qenë veprime institucionale apo të përkrahura nga populli i Kosovës. Në secilin rast, Kosova ka dhënë përkrahjen e saj për këto institucione, gjithnjë duke besuar që drejtësia ndërkombëtare edhe njëherë do ta nxjerrë Kosovën faqebardhë”, ka thënë Osmani për DW.