Lokale - eSIMy

Të premten janë kryer varrimet e dy viktimave të përleshjes me armë zjarri të së mërkurës në Pejë.

Kandidatit i Partisë Demokratike të Kosovës, Astrit Ademajt, iu dha lamtumira e fundit në Katund i Ri të Pejës, ku morën pjesë familjarë, shokë e bashkëpartiakë të të ndjerit.

Këta të fundit prezent ishin edhe në varrimin e Blerand Kadrijajt në Rastavicë të Deçanit, njofton Klan Kosova.

Ndërkohë me akuzën për vrasjen e Blerandit, po përballet vëllai i Astritit, Avniu të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Në komunikatën e Gjykatës Themelore në Pejë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar që Blerandi së bashku me një person me inicialet L.L kishte shkuar për t’u takuar me Astritin.

Gjatë bisedës e cila acarohet, para lokalit të familjes Ademaj ku shiten produkte mishi e që është pak metra larg shtëpisë së tyre, dy viktimat kishin nxjerr përnjëherë armët.

Në një moment dyshohet se revolen vëllait të tij ia merr Avniu duke shtënë drejt Blerandit, i cili më pas gjuan drejt dy vëllezërve, duke e lënë njërin të vdekur e tjetrin të plagosur para se të vdiste vet.