Lokale - eSIMy

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ftuar votuesit që t’i rikthehen Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet që do të mbahen në tetor.

Ai në Rubikon, duke bërë këtë thirrje, ka thënë se LDK-ja po shkon drejt hapave të sigurt për rikthimin e madh.

“Jemi solidë në zgjedhjet e tetorit. LDK-ja po rikthehet në nivel lokal. Kemi kuadro. Ftoj të gjithë votuesit, të cilët janë ndjerë të dëshpëruar të kthehen në shkollën politike. I kemi njerëzit më të përgatitur me kryetarët lokalë. Njerëzit po na mbështesin. Këta që janë ne Qeveri nuk dinë se s’kanë njerëz. Po e bëjmë rikthimin e madh”, është shprehur ai.

Në intervistën e tij për emisionin Rubikon në Klan Kosova, i pari i LDK-së kritikoi qeverinë Kurti që nuk po i jep përgjigje SHBA-ve për projektin e furnizimit të Kosovës me gaz.

Teksa numëroi edhe kritika tjera për partinë në pozitë që po qeveris vendin, Abdixhiku tha se në asnjë mënyrë nuk do të ketë koalicion me VV-në.

Kreu I LDK-së tha se LVV nuk ka njerëz për të udhëhequr, sidomos për pushtet lokal, derisa tha që po pret nga ky subjekt politik që t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës për të reduktuar fushatën meqë nga PDK dhe AAK tashmë ka marrë konfirmim për dakordim.