Togerja e Policisë në Podujevë, Antigona Çitaku – Dibrani, në 22-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ka rrëfyer për punën e saj si pjesëtare e këtij institucioni, shkruan Llapi.info.
Në emisionin “Pasdite” të Kanal10, Çitaku-Dibrani ka theksuar se në këtë kohë pandemie qëllimi i zyrtarëve policorë, sipas saj, nuk ndëshkimi i qytetarëve. Ajo ka deklaruar se masat kundër virusit korona janë duke u respektuar më në masë.
“Tani është një vetëdijesim më i madh i qytetarëve për t’u respektuar masat anti-covid, pasi që qëllimi i Policisë së Kosovës nuk është ndëshkimi i qytetarëve”, thotë ajo.
Çitaku-Dibrani ka thënë se në Policinë e Kosovës shërben që 22 vjet, ndërkohë që ka shtuar se pikërisht këtë profesion e kishte ëndërruar qysh në fëmijëri.
“Nën uniformën i kamë bërë 18 vite, por në Polici shërbej që 22 vjet. Fillimisht kam punuar një profesion tjetër, ku i kemi trajnuar gjeneratat e reja, ndërsa unë kam punuar si përkthyese në atë kohë. Duke e parë motivimin, policët dhe policet e reja, gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer vendit, ka nisur për të më pëlqyer. Në vitin 2003 është shpallur konkursi për policë, e aty i thash vetit se do të kalojë në Policinë e Kosovës. Kjo ka qenë ëndrra ime qysh në fëmijëri”, është shprehur ajo.
“Si tipar që më ka veçuar është që çdo herë e kam pasur gatishmërinë me bë zgjidhje, me qenë pranë njerëzve kur kanë nevojë. Pra, prej vegjëlisë e kam dashur si profesion. Kur ka ardhur koha nuk kam hezituar dhe asnjëherë nuk jam penduar. Ka pasur sfida, situata të ndryshme. Ka pasur situata të pakëndshme kur nuk mundesh me ardh në vete me ditë të tëra, nga ngjarjet që sheh. Por, ku e shesh se ti u del në ndihmë dhe ke zgjidhur diçka të bën të ndjehesh mirë”, thotë ajo.
“Sa i përket rreziqeve asnjëherë nuk jam tërhequr. Momente ka ndryshme, ndër më të vështirat janë aksidentet, ku të rinjtë humbin jetën. Pikërisht sot në një vetë-aksident ka humbur jetën një 16 vjeçar, ku kam qenë në atë rast intervenimi,. Janë pamje që realisht prekin shumë, pasi edhe ne jemi njerëz, na kaplojnë emocionet”, ka thënë Çitaku – Dibrani.
Çitaku-Dibrani, më tej, ka theksuar se edhe dhuna në familje është një tjetër situatë e cila e bën atë më të ndjeshme, teksa ka apeluar që kjo dukuri të raportohet./Llapi.info
Më poshtë, nga minuta 12:25 mund ta ndiqni të plotë rrëfimin e saj:






