Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka inspektuar sot punimet e asfaltimit të rrugëve në fshatin Llaushë dhe shtrimin e trotuareve në rrugën Dumnicë-Llaushë, njofton Llapi.info.
Kështu ka bërë të ditur vetë Bulliqi në rrjetin social Facebook, derisa ka shtuar se janë duke u realizuar projekte të shumta në këtë Komunë.
“Jemi në vlugun e madh të punëve dhe projekteve që po realizohen gjatë kësaj kohe në Komunën e Podujevës, sot kam inspektuar punimet në asfaltimin e rrugëve që janë duke u zhvilluar në fshatin Llaushë. Pas kësaj kam vizituar edhe punimet në shtrimin e trotuareve përgjatë rrugës Dumnicë-Llaushë, shtrimi i trotuarit po bëhet edhe në disa prej rrugicave të këtyre fshatrave ku gravitojnë më shumë qytetarë. Gjithashtu kam inspektuar punimet që po zhvillohen në shenjëzimin horizontal dhe vertikal të rrugëve në qytet, ky projekt ndikon në sigurinë në komunikacion”, ka shkruar ai./Llapi.info











