Xhabir Hamiri, profesori në Fakultetin Studimeve Islame, është propozuar nga ministrja Donika Gërvalla, për ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Emri i tij tashmë ka shkuar si propozim në në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporës, shkruan Gazeta Insajderi.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju dërgojmë në besim emrin e z.Xhabir Hamiri, si i propozuar për ambassador, që nuk është anëtar në detyrë në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe që do të shërbejë vetëm për një mandate në Emiratet e Bashkuara Araba”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Insajderi.
Në këtë shkresë Gërvalla thotë se Hamiti i plotëson të gjitha kushtet e parapara sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik.

Kush është Xhabir Hamiti?
Xhabir Hamiti është ligjërues i jashtëm në Fakultetin Filologjik, dega e orientalizmit, si dhe profesor në Fakulteitn e Studimeve Islame, në nivelin master. Më parë ka qenë edhe ligjërues i jashtëm edhe për gjuhën arabe në Universitetin e Prishtinës.
Nga viti 1995 deri 2010 ka qenë sekretar administrative në fakultetin e studimeve Islame në Prishtinë.
Flet gjuhët shqip, anglisht, arabisht, gjermanisht dhe atë serbo-kroate. Është autor i një numri librash për çështje teologjike, përfshirë “Fjalor i shkurtër i gjuhës arabe”, “Feja dhe shoqëria”, “Studime kuranore” etj.
Hamiti, nga viti 2008-2013 ishte kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ishte shkarkuar pasi sipas shpjegimit zyrtar nga BIK, Hamiti e kishte lëshuar mbledhjen në mënyrë arbitrare duke mos përfillur kërkesat e anëtarëve të Kuvendit.
“Në bazë të nenit 73 të Kushtetutës së Kuvendit të BIK anëtarët kanë të drejtë ta shkarkojnë dhe ta emërojnë kryetarin e vet. Bashkë me Hamitit mbledhjen e kanë lëshuar edhe 4-5 persona dhe ne me 23 vota për dhe një abstenim kemi vendosur për shkarkimin e tij”, thuheh në shpjegimin e BIK.
Vetë Hamiti, pati thënë se kishte ndërprerë punën e kuvendit si rezultat i përpjekjeve për të vënë në rend dite, një ndryshim në Kushtetutën e Bashkësisë Islame. Ndryshimet do t’i paraprinin zgjedhjeve për të zgjedhur kryetarin e ri, pa të cilat nuk do t`i lejohej kandidimi myftiut Naim Tërnava.
Hamiti ka lindur në vitin 1968 në Bllatë. Shkollën fillore e kreu në Bervenik të Podujevës, ndërsa të mesmen në “Medresja Alaudin”, në Prishtinë. Diplomoi në në “Institutin e Gjuhës arabë për të huajt” në Medinë dhe në fakultetin e teologjisë islame në Medinë.
Masterin për “Studimet orientale mbi islamin në ish-jugosllavi” e kreu në Liban kurse doktoraturën për”Studimet tradicionale të shqiptarëve për Islamin në shekullin XX” në Sarajevë.
Kujtojmë se procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj parashohin që ministrja e Jashtme të dërgojë për miratim në qeveri propozimet të cilat pastaj i përcjellën Kuvendit të Kosovës. Komisioni për Punë të Jashtme e bënë intervistimin dhe përgatit raportin për secilin prej tyre, të cilin më pas e dërgon në Presidencë.
Ndërsa emërimi i ambasadorëve bëhet me dekretin e presidentit të vendit.
Gazeta Insajderi gjatë ditës ka raportuar edhe për kandidatët tjerë të propozuar për ambassadorë që kanë lidhje me partinë në pushtet, Vetëvendosjen. /Insajderi.org
Biografia e plotë e kandidatit të propozuar për ambasador:










