Katër ditë pasi ishte zhdukur dhe familjarët nuk dinin asgjë për vendndodhjen e tij, mërgimtari nga Kaçaniku ka arritur të gjendet nga Policia e Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net“, Kanun Veseli, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, i cili ka treguar se mërgimtari është gjendur në afërsi të një restoranti në magjistralen Kaçanik-Ferizaj.
“Po është gjetur rreth orës 13:40 personi i lajmëruar si i zhdukur. Ai është gjetur në magjistralen Kaçanik-Ferizaj në afërsi të një restoranti. I njëjti do të intervistohet nga policia”, ka thënë Veseli për Reporteri.net.
Për zhdukjen e tij ka njoftuar sot policia me anë të raportit 24-orësh, teksa arsyet e largimit nga shtëpia mbeten akoma të panjohura. Sipas policisë i njëjti ishte larguar nga shtëpia më 1 shtator.






