Dy persona janë arrestuar në një laborator në Podujevë, nën dyshimin se të njëjtit kanë lëshuar teste negative për virusin korona, raporton Llapi.info.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës në një komunikatë për medie, të dyshuarit janë kapur në flagrancë duke lëshuar falsifikime të testeve për COVID-19.
“Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK)- Sektori i Hetimit të Korrupsionit, në koordinim dhe bashkëveprim me prokurorin kujdestar nga Prokuroria Themelore-Prishtinë, pas hetimeve paraprake sot, më 04.09.2021, ka zhvilluar një operacion policor në një laborator në Podujevë. Hetimet paraprake dhe operacioni policor i sotëm vije pas dyshimeve se në këtë laborator lëshoheshin teste të falsifikuara për Covid 19”, thuhet në njoftim.
“Hetuesit policorë, gjatë realizimit të këtij operacioni policor kanë arritur të kapin në flagrancë duke lëshuar teste të falsifikuara pronarin e laboratorit, të dyshuarin B.S., viti i lindjes 1952, mashkull kosovar dhe punëtoren e këtij laboratori Xh. Sh., viti i lindjes 1988, femër kosovare. Zyrtarët policorë (hetuesit dhe forenzika) edhe në këto momente janë duke vazhduar kontrollin në laborator së bashku me Inspektoratin Shëndetësor ku janë sekuestruar dëshmi të ndryshme të cilat do të shërbejnë si provë në procedurën e mëtutjeshme penale, po ashtu nga Inspektorati Shëndetësor do të merren masa tjera administrative në kuadër të kompetencave të tyre. Ndaj dy personave të dyshuar B.S. dhe Xh.Sh., nga prokurori kujdestar i PTH-Prishtinë është lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh lidhur me dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje ‘falsifikim i dokumenteve”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës./Llapi.info






