Kryetari i Komunës së Podujevës, njëherësh edhe kandidat për këtë post nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka theksuar se në qeverisjen e tij, siç ka thënë Bulliqi, nuk ka pasur korrupsion, raporton Llapi.info.
Në emisionin “Prime Time” në Kanal10, duke u përgjigjur akuzave të penalistëve për mënyrën e shpërndarjes së gjedheve, Bulliqi ka deklaruar se i gjithë ky proces, sipas tij, ka qenë në mënyrë transparente.
“Si zyrtar i shoqërisë civile, më thuaj 10 centë që është korruptuar ndonjëri prej zyrtarëve, 10 centë që është korruptuar ndonjëri nga zyrtarët në administratën komunale, nisur nga kryetari tek portieri edhe unë të them se ti ke të drejt dhe ta heq kapelën”, iu drejtua Bulliqi penalistit Shemsi Jashari, i cili tha se disa lopë janë shpërndarë për zyrtarë komunalë.
Më tej, i pari i Podujevës ka folur edhe për gjendjen me COVID-19 në këtë Komunë, gjersa ka shtuar se deri më tani janë vaksinuar mbi 37 mijë qytetarë. Ai ka deklaruar se në Podujevë, sipas tij, nuk ka mungesë vaksinash.
“Sa kemi ne informacione, nuk ka mungesë vaksinash në Podujevë. Radha e qytetarëve për t’u vaksinuar është çdo ditë e më e gjatë. Ka pasur ditë kur janë vaksinuar 1000 persona, por tani në këto ditë ka rënë numri në rreth 500”, është shprehur Bulliqi.
“Qendrën anti-covid e kemi gjetur të rëndë. Aty kanë qenë vetëm katër shtretër në një dhomë të vetme. Me të marrë detyrën, i kemi zgjeruar kapacitetet dhe i kemi ndarë pacientët pozitivë dhe negativë me COVID-19. I kemi marrë mbi 6000 teste, disa prej tyre rapide. Gjendja është menaxhuar relativisht mirë”, ka thënë ai.
“Në Drejtorinë e Bujqësisë, kemi bërë mbështetjen e fermerëve me mullinj për 50 fermerë në vlerë prej 50 mijë eurove. Pasataj mbështetja me mëshqerra dhe 46 blegtorë janë furnizuar me ushqime të ndryshme për kafshë. Është realizuar projekti për lopë qumështore për 70 fermerë në vlerë prej mbi 112 mijë euro. Është realizuar projekti për pemëtari”, ka thënë ai, kur është pyetur për punët e kryera në këtë fushë.
Ndërkaq, penalisti Shemsi Jashari ka thënë se problem gjatë këtyre muajve të qeverisjes së Bulliqit është ndërrimi i drejtorëve.
“Telashe me drejtorë sa ka pas qeverisja Bulliqi nuk ka pas asnjë qeverisje prej pasluftës në komunën e Podujevës. I ke ndërruar tre drejtorë, në kohë pandemie e ke ndërruar drejtorin e shëndetësisë. Ndërtimet pa leje i ki ka lulëzojnë në komunën e Podujevës”, ka thënë Jashari.
Bulliqi ka folur edhe për zgjedhjet që pritet të mbahen në tetor të këtij viti. Ai ka shtuar se e respekton çdo vendim të qytetarëve në procesin zgjedhor.
“Kam hyrë në garë për të fituar, se qysh vendos qytetari e pranojmë. Deri më tani kemi dhënë shembuj të punëve të mira, të cilat i kanë munguar Podujevës, i respektoj kundërkandidatët”, ka thënë Bulliqi./Llapi.info






