Lokale - eSIMy

Një i vdekur dhe 128 raste të  reja me COVID-19 janë regjistruar gjatë ditës së sotme në Podujevë, raporton Llapi.info.

Kështu ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ndërkohë që për moshën e viktimës ky institut ka njoftuar gabimisht.

Sipas epidemiologes së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama, viktima e fundit në Podujevë me virusin korona është i moshës 76-vjeçare.

“Ka qenë gabim viti i lindjes në listën e IKSHPK-së. Pacienti, i cili ka ndërruar jetë është i moshës 76-vjeçar nga fshati Bajçinë”, është shprehur Rama për Llapi.info.

Ndërkohë, që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në 6,449. Deri tash janë raportuar 77 viktima, kurse 5,057 pacientë janë shpallur të shëruar. Aktualisht në këtë Komunë janë aktivë edhe 1.315 persona.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar sot edhe 1.612 raste të reja me virusin korona, pas testimit të 13.953 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë, raporton Llapi.info.

Siç ka njoftuar ky Institut, brenda 24-orëve janë raportuar 32 raste të vdekjes me COVID-19, derisa janë shëruar 2.460 pacientë.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 148,492 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,557 kanë vdekur, kurse janë shëruar deri më sot 119,411. Në total numri i rasteve aktive është 26.524../Llapi.info