Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka publikuar masat e reja anti-covid, me të cilat po synohet që të parandalohet përhapja e mëtejmë e virusit korona, shkruan Llapi.info.
Si masë është rikthyer edhe bartja e maskës gjatë gjithë kohës, derisa është rritur numri i inspektorëve dhe zyrtarëve policorë për t’i mbikëqyrë zbatueshmerinë e këtyre masave.
Për këtë, vetëm gjatë muajit gusht në Komunën e Podujevës janë gjobitur mbi 500 qytetarë llapjanë. Kështu ka thënë në mbledhjen e mbajtur sot të Shabit Emergjent Komuna, komandanti i Stacionit të Policisë, Nijazi Jashari.
“Policia është duke zbatuar planin operativ për zbatimin e masave mbrojtëse kundër COVID-19, ku vetëm gjatë muajit gusht janë lëshuar 559 tiketa për qytetarët të cilët nuk kanë respektuar masat anti covid dhe janë gjobitur rreth 13 lokale për mosrespektim të masave”, ka thënë Jashari.
Komandanti i Stacionit të Policisë, Major Nijazi Jashari, theksoi kalimin e orarit të punës tani në 12-orësh me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjë e cila ndihmon në procesin e mbarëvajtjes së menaxhimit të pandemisë.
Shtabi Emergjent u ka bërë apel qytetarëve të vaksinohen dhe të respektojnë në përpikëri masat e reja në mënyrë që të dalim nga kjo situatë e rënduar epidemiologjike.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në 6,322. Deri tash janë raportuar 76 viktima, kurse 4,995 pacientë janë shpallur të shëruar. Raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 1.251./Llapi.info






