Është shtuar fluksi i qytetarëve që duan të vaksinohen kundër virusit korona edhe në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Kështu ka thënë në mbledhjen e sotme të Shtabit Emergjent Komunal, epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.
“Procesi i vaksinimit po shkon mirë, ka numër shumë të interesuar të qytetarëve për vaksinim, gjithsej janë 11 ekipe. Numri i të vaksinuarve është deri tani 36.909 në komunën e Podujevës”, ka thënë Rama.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale, Driton Veliu shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 dhe kërkoi angazhimin të përbashkët për luftën ndaj variantit mjaft të rrezikshëm Delta.
Veliu në koordinim me komandantin e policisë u dakorduan për më shumë kontrolle sporadike te personat të cilët janë pozitiv me Covid-19, me qëllim të parandalimit të infeksionit nga daljet e tyre.
Shtabi Emergjent u bënë apel qytetarëve të vaksinohen dhe të respektojnë në përpikëri masat e reja në mënyrë që të dalim nga kjo situatë e rënduar epidemiologjike, sepse vetëm duke respektuar masat anti-covid do të ruajmë vetën dhe familjet tona./Llapi.info






