Një rekord i zi sa i përket rasteve të vdekjeve dhe atyre pozitive me virusin korona është shënuar përgjatë javës së fundit në Podujevë, raporton Llapi.info.
Sipas statistikave ditore të publikuara çdo ditë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, që nga e marta e kaluar janë regjistruar pesë të vdekur dhe mbi 540 raste të reja pozitive me COVID-19.
Këto statistika kanë bërë që në këtë Komunë të arrihet shifra e rasteve aktive mbi 1 mijë, për herë të parë që nga shpërthimi i koronavirusit në Kosovë.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në 6,221. Deri tash janë raportuar 76 viktima, kurse 4,990 pacientë janë shpallur të shëruar. Raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 1.155.
Në anën tjetër, deri gjatë ditës së djeshme në Podujevë janë vaksinuar 35 mijë e 120 qytetarë. Kështu ka bërë të ditur kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Deri më tani kemi 35 mijë e 120 qytetarë, qoftë me dozën e parë apo të dytë. Në 24 orë numri më i madh që janë vaksinuar është 993 qytetarë”, është shprehur ai në KlanKosova.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar sot edhe 1.383 raste të reja me virusin korona, pas testimit të 11.472 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë, raporton Llapi.info.
Siç ka njoftuar ky Institut, brenda 24-orëve janë raportuar 26 raste të vdekjes me COVID-19, derisa janë shëruar 996 pacientë.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 144,986 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,503 kanë vdekur, kurse janë shëruar deri më sot 115,597. Në total numri i rasteve aktive është 26.886.
Më 29 gusht kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër pandemisë, të cilat sipas Qeverisë së Kosovës, kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit./Llapi.info






