Lokale - eSIMy

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për mbështetjen për lehonat e papunësuara, të punësuara dhe fëmijët nga 0 deri në 2 vjeç.

Hekuran Murati, ministër i Financave prezantoi para kabinetit qeveritar këtë propozim duke thënë që këto mjete kapin vlerën prej 7 milionë euro.

“Përveç mbështetjes për lehonat e papuna, ne do të mbështesim edhe gratë e punësuara në mënyrë që të fuqizojmë pozitën e gruas në tregun e punës si dhe nga kursimet që kemi arritur të bëjmë, ne do të fillojnë sivjet edhe shtesat për fëmijë, edhe pse ky ka qenë premtim për vitin e ardhshëm, por këtë do të bëjmë nga ky vit”, tha ai.

Qeveria po ashtu ka bërë të ditur se ky ndryshim është në funksion të përmbushjes së njërës nga Prioritet e Qeverisë në cilën parashihen shtesat e fëmijëve deri në moshën 16 vjeçare, implementimi i së cilës do të bëhet në mënyrë graduale.

“Po ashtu, parasheh përfshirjen edhe të lehonave të punësuara krahas atyre të papuna për mbështetje financiare që do të ofrohet nga Qeveria, me qëllim të fuqizimit të mëtutjeshëm të grave në tregun e punës”, ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi në Facebook.

Kabineti qeveritar sot po ashtu ia ndau ministrisë së Financave, 15 milionë euro në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha që kjo ndarje është bërë për krijimin e vendeve të reja të punës. Po ashtu qeveria ka ndarë edhe 12 milionë euro të tjera për Ministrinë e Financave.