Një tjetër aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 11:00 në rrugën Ali Ajeti në Podujevë, raporton Llapi.info.
Në këtë aksident janë përfshirë tri vetura, ku për pasojë kanë mbetur të lënduar tre persona. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 11:00, është pranuar informata për një aksident komunikacioni rrugor të ndodhur në rrugën Ali Ajeti në Podujevë. Në aksident janë përfshirë tri automjete, ku lëndime kanë pësuar tre persona. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka filluar një hetim lidhur me shkaqet që kanë sjellë deri te ky aksident”, ka thënë Ahmeti.
Sipas statistikave ditore të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë ditës së djeshme në nivel vendi kanë ndodhur 67 aksidente, prej të cilave, 1 ka përfunduar me fatalitet dhe 24 të tjerë me të lënduar./Llapi.info






