Lokale - eSIMy

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-covid, pas rritjes enorme të të infektuarve në javët e fundit, raporton Llapi.info.

Si masë parandaluese e përhapjes së infeksionit është marrë edhe vendosja e maskës në ambiente të mbyllura dhe në mjete të udhëtarëve.

Për këtë të fundit, Policia e Kosovës po monitoron se sa po respektohen. Kontrolle të tilla ka pasur edhe në autobusët e linjës Podujevë – Prishtinë, ku në pamjet që kanë dërguar lexuesit në Llapi.info, shihen pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke kontrolluar udhëtarët se a janë me maska mbrojtëse.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 18 gusht ka miratuar masat e reja të kufizimit në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ditët e fundit është shënuar rritje enorme e rasteve me COVID-19 dhe varianti Delta tashmë po mbizotëron rastet e të infektuarve.

Vitia tha se në bazë të rekomandimeve të institucioneve shëndetësore po vendosen masat e reja të kufizimit, pasi kapacitetet e spitaleve janë të kufizuara.

Disa nga masat e miratuara:

  • Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 1 shtator 2021, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës dhe ahengjeve familjare.
  • Shërbimet e gastronomisë përfshirë restoranet dhe hapësirat e ngjashme në hoteleri lejohen të punojnë deri në orën 22:30.
  • Teatrot, bibliotekat, orkestrat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës.
  • Ndalohet hyrja në mjetet të transportit publik pa maskë.
  • Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 1 shtator 2021, hyrja në ambientet ku mbahen grumbullime, tubime (festivale, koncerte) aktivitete sportive dhe kulturore të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, lejohet vetëm nëse klientët/pjesëmarrësit posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme: Certifikatën e vaksinimit, testi RT-PCR negativ, dëshmia se personi ka kaluar COVID-19 apo testi i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
  • Gratë shtatzëna, lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë. Punëdhënësit publikë apo privatë udhëzohen të ju krijojnë mundësinë që të punojnë nga shtëpia.
  • Të gjithë qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, certifikatën e vaksinimit të plotë ose një rezultat pozitiv të testit të antitrupave serologjik –IgG, të lëshuar më së shumti tridhjetë (30) ditë para arritjes.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar edhe vendimin për rritjen e stafit shëndëtsorë që do të merren me menaxhimin e pandemisë dhe procesin e imunizimit.

Angazhimi i 1116 punëtorëve shtesë pritet të bëhet brenda 10 deri 14 ditësh, tha ministri i Shëndetësisë.