Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është shprehur i bindur se partia e tij do të triumfojë në Podujevë, raporton Llapi.info.
Këto komente Krasniqi i ka bërë gjatë prezantimit të kandidates Floretë Zejnullahu, kjo e fundit, sipas Krasniqit, do të jetë kryetare e ardhshme e Podujevës.
“Floretë Zejnullahu është personifikim i idealit të familjes së saj prej patriotëve e luftëtarëve për lirinë dhe shtetin e Kosovës. Xhaxhai i saj, Heroi Hakif Zejnullahu, ndër të parët, bashkë me Zahir Pajazitin, u ngrit në këmbë për ta larguar shtypjen, që gjeneratat e reja, të gjithë ne, ta përjetojmë lirinë, ta jetojmë shtetin e Kosovës dhe ta ndërtojmë e zhvillojmë atë. Floreta ka ecur kësaj rruge me krenari, duke u bërë një profesioniste në shëndetësi dhe një aktiviste politike për më shumë mundësi për të rinjtë e të rejat. Ne jemi krenar që ajo është pjesë e PDK-së tash e sa vjet. Podujeva është krenare me të dhe për dy mandate i ka dhënë mbështetje për të qenë deputete në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar ai.
“Floreta, me shumë vullnet, do të angazhohet që Podujeva të përjetojë ndryshimin e madh, që e kërkojnë llapjanët. Ajo është kandidatja jonë për kryetare të Podujevës. Ajo edhe do të jetë kryetare e Podujevës. Me punën e saj, transparente e të pastër mbi të gjitha, Podujeva do të perjetojë ndryshime të mëdha, projekte inovative që sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, për vende pune e hapje te biznesit, më shumë sport e kulturë, më shumë barazi. Mbështetja jonë për të do të jetë e parezervë”, ka shkruar Krasniqi.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor. Në garë për kreun e Podujevës, përveç Zejnullahut, janë Shpejtim Bulliqi i VV-së, Ekrem Hyseni i LDK-së, Besnik Tahiri i AAK-së, Xhemajl Hasani i Nismës dhe Gazmend Islami i Ballit Kombëtar Demokrat./Llapi.info






