Lokale - eSIMy

Ashtu siç ka raportuar ditë më parë Llapi.info, sot edhe zyrtarisht është konfirmuar kandidatura e deputetes së PDK-së, Floretë Zejnullahu për kryetare të Podujevës, raporton tutje Llapi.info.

Këtë e ka bërë të ditur vetë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili në një postim në Facebook ka thënë se Zejnullahu, siç ka thënë ai, do të angazhohet për ndryshimin e madh në Llap.

“Floretë Zejnullahu është personifikim i idealit të familjes së saj prej patriotëve e luftëtarëve për lirinë dhe shtetin e Kosovës.  Xhaxhai i saj, Heroi Hakif Zejnullahu, ndër të parët, bashkë me Zahir Pajazitin, u ngrit në këmbë për ta larguar shtypjen, që gjeneratat e reja, të gjithë ne, ta përjetojmë lirinë, ta jetojmë shtetin e Kosovës dhe ta ndërtojmë e zhvillojmë atë. Floreta ka ecur kësaj rruge me krenari, duke u bërë një profesioniste në shëndetësi dhe një aktiviste politike për më shumë mundësi për të rinjtë e të rejat. Ne jemi krenar që ajo është pjesë e PDK-së tash e sa vjet. Podujeva është krenare me të dhe për dy mandate i ka dhënë mbështetje për të qenë deputete në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar ai.

“Floreta, me shumë vullnet, do të angazhohet që Podujeva të përjetojë ndryshimin e madh, që e kërkojnë llapjanët. Ajo është kandidatja jonë për kryetare të Podujevës. Ajo edhe do të jetë kryetare e Podujevës. Me punën e saj, transparente e të pastër mbi të gjitha, Podujeva do të perjetojë ndryshime të mëdha, projekte inovative që sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, për vende pune e hapje te biznesit, më shumë sport e kulturë, më shumë barazi. Mbështetja jonë për të do të jetë e parezervë”, ka shkruar Krasniqi.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor. Në garë për kreun e Podujevës, përveç Zejnullahut, janë Shpejtim Bulliqi i VV-së, Ekrem Hyseni i LDK-së, Besnik Tahiri i AAK-së, Xhemajl Hasani i Nismës dhe Gazmend Islami i Ballit Kombëtar Demokrat./Llapi.info