Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se këto ditë është shtuar numri i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër virusit korona, raporton Llapi.info.
Në një postim në Facebook, i pari i Podujevës ka bërë thirrje tek qytetarët llapjanë që t’i bëjnë terminët për vaksinim, ndërkohë që ka përgëzuar stafin mjekësor në qendrën e vaksinimit.
“Sot vizitova Qendrën e Vaksinimit, e cila ditëve të fundit ka fluks të shtuar të qytetarëve për vaksinim. Procesi është duke ecur mirë, falë punës së palodhshme të stafit shëndetësorë të cilët me përkushtimin e tyre po kontribuojnë në mbrojtjen e qytetarëve nga virusi Covid-19. Ftoj të gjithë qytetarët tanë të bëjnë termine dhe të vaksinohen sa më parë, sepse vetëm kështu do ta ruajmë vetën dhe shëndetin e familjeve tona. Ndërsa, në shenjë falënderimi për punën e mrekullushme të ekipit të specializantëve që sot përfunduan punën në Qendrën e Vaksinimit ndamë mirënjohje për të vlerësuar kontributin e tyre të çmuar”, ka shkruar Bulliqi.
Duhet theksuar se gjatë kësaj jave është rritur dukshëm numri i rasteve të reja me COVID-19, ku për pak ditë janë konfirmuar pozitivë rreth 100 qytetarë. Aktualisht në këtë Komunë janë edhe 201 raste aktive me virusin korona./Llapi.info







