Lokale - eSIMy

52 qytetarë të Podujevës kanë rezultuar pozitivë më COVID-19 përgjatë 24-orëve të fundit, raporton Llapi.info.

Në statistikat e publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bëhet e ditur se në mesin e këtyre të infektuarve është edhe një fëmijë nën moshën 9 vjeç. 3 të tjerë janë të moshës 10-19, 9 të moshës 20-29, 15 të moshës 30-39, 6 të moshës 40-49, 11 të moshës 50-59, 3 të moshës 60-69, 3 të moshës 70-79 dhe 1 mbi 80 vjeç.

Vetëm gjatë kësaj jave në këtë Komunë janë konfirmuar pozitivë mbi 80 persona, derisa numri i rasteve aktive tashmë ka arritur në 184.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 5 mijë. Deri tash janë raportuar 69 viktima, kurse mbi 4 mijë pacientë janë shpallur të shëruar.

Ndërkohë, Autoritetet shëndetësore sot në Kosovë kanë regjistruar dy viktima me koronavirus. Viktimat janë nga Suhareka dhe Vitia. Në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 1,006 raste të infektimit, pas testimit të 6,784 mostrave.  Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se më 12 gusht janë shëruar 82 pacientë nga sëmundja COVID-19.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 112,653 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,276 kanë vdekur. Raste aktive janë edhe 4.414./Llapi.info