Në varrezat e fshatit Pakashticë të Podujevës, sot i është dhënë lamtumira e fundit 48-vjeçarit, Sevdail Rrustemi, i cili vdiq në aksidentin tragjik të autobusit në Kroaci, shkruan Llapi.info.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë familjarë, miq, ministra, zyrtarë komunalë e qindra qytetarë të tjerë. Në një fjalim rasti, kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se Sevdaili u bashkua me familjarët e tij pak kohë më parë, teksa ka potencuar se shkuarja në amshim ka qenë e papritur.
“Jemi mbledhur sot për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Sevdailit. Njeriut të urtë, familjarit të përkushtuar, dhe mikut tim, i cili tragjikisht bashkë edhe me nëntë bashkatdhetarë të tjerë humbën jetën në një aksident komunikacioni rrugës për në vendlindje. Në rastet si ky, për secilin prej nesh, e sidomos për mua që e kisha mik të mirë është e vështirë të gjinden fjalë me të cilat do ta përshkruajmë personalitetin e Sevdailit, i cili gjithë jetën ishte shembull i familjarit të përkushtuar, njeriut të mirë, e me zemër të madhe. Të gjithë ne që jemi mbledhur për Sevdailin kemi vetëm kujtime të mira, e të cilat do t’i ruajmë gjithmonë, sepse ai gjithmonë vetëm mirësi, hare, e pozitivitet rrezatoi. Ai, asnjëherë nuk pushoi së punuari e kontribuari për familjen e tij të ngushtë me të cilën pak kohë më parë u bashkuan në Gjermani, por duke mos lënë kurrë anash pjesën tjetër të familjes, neve miqtë e tij dhe vendin e tij të cilin përherë e kishte në zemër”, ka thënë Bulliqi.
Më tej, i pari i Podujevës ka shtuar se aksidenti i së dielës në Kroaci ka tronditur gjithë Kosovën.
“Sevdaili, ndonëse fizikisht, sot po ndahet prej nesh, por vlerat e tij njerëzore të cilat zotëronte, do ta mbajnë të përjetshëm në kujtimet e secilit prej nesh të cilëve na u dha rasti që ta njohim. Andaj, në këto momente të dhimbjes së madhe, jemi bashkë me ju e nderuara familje Rrustemi, me miqtë dhe dashamirët e Sevdailit, për ta ndarë së bashku dhimbjen dhe pikëllimin për këtë humbje kaq të madhe. Si kryetar Komune dhe si mik i familjes Rrustemi iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë juve qytetarë të respektuar që keni ardhur sot këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit Sevdailit”, është shprehur ai.
Dhjetë persona me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod. Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë./Llapi.info










