Tre persona nga Komuna e Podujevës kanë mbetur të lënduar nga aksidenti tragjik i një autobusi në Kroaci, raporton Llapi.info.
Të tretë janë familjarë të tashmë të ndjerit, Sevdail Rrustemi. Siç ka mësuar Llapi.info, dy djemtë e Sevdalit dhe bashkëshortja e tij janë lënduar nga po ky aksident, gjendja e të cilëve nuk raportohet të jetë e rëndë.
Për rastin tragjik, ku mbeti i vdekur 46-vjeçari nga Podujeva ka reaguar edhe kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.
“Dje kemi pranuar informatën nga Ministria e Punëve të Brendshme, se prej 10 viktimave të aksidentit tragjik në Kroaci, njëri prej tyre është edhe miku im, Sevdail Rrustemi nga Pakashtica e Podujevës. Ky lajm i kobshëm për vdekjen e bashkëvendasit tonë na lëndoi thellësisht të gjithë qytetarëve të Llapit. Unë iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të viktimës, dhe shpreh solidaritetin e plotë, që si institucion me të gjitha mundësitë tona do të qëndrojmë pranë familjes në këto momente të rënda”, ka shkruar ai.
Të lënduarit nga aksidenti i djeshëm në Kroaci, janë ende duke vazhduar trajtimin e tyre, ndërsa sot gjatë ditës pritet të bëhet lirimi nga spitali i 17 personave.
Kështu ka bërë të ditur për Klan Kosovën, deputetja shqiptare në Kroaci, Ermina Lekaj-Prlaskaj, ndërsa përmendi që ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla është duke qëndruar atje për të diskutuar për procedurat e mëtejme të transportit të kufomave dhe udhëtarëve me një aeroplan.
”Për momentin gjendja e të lënduarve është stabile. Sot gjatë ditës, pritet që nga spitali të dalin 17 persona”, ka thënë ajo. /Llapi.info






