Lokale - eSIMy

 Në mesin e dhjetë viktimave nga aksidenti tragjik i autobusit në Kroaci është edhe një 46-vjeçar nga Pakashtica e Komunës së Podujevës, raporton Llapi.info.

Sevdail Rrustemi mbeti i vdekur nga ky aksident. Në një postim në Facebook, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se ky lajm i kobshëm ka prekur të gjithë qytetarët e Llapit.

“Dje kemi pranuar informatën nga Ministria e Punëve të Brendshme, se prej 10 viktimave të aksidentit tragjik në Kroaci, njëri prej tyre është edhe miku im, Sevdail Rrustemi nga Pakashtica e Podujevës. Ky lajm i kobshëm për vdekjen e bashkëvendasit tonë na lëndoi thellësisht të gjithë qytetarëve të Llapit. Unë iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të viktimës, dhe shpreh solidaritetin e plotë, që si institucion me të gjitha mundësitë tona do të qëndrojmë pranë familjes në këto momente të rënda”, ka shkruar ai.

Ndryshe, 10 veta humbën jetën dhe mbi 40 të tjerë mbetën të plagosur nga pasojat e një aksidenti në Kroaci.

Autoritetet thanë se autobusi nga Kosova doli nga autostrada ndërmjet Zagrebit dhe kufirit të Serbisë të dielën në mëngjes afër Slavonski Brodit./Llapi.info