Deputeti i VV-së, Fitim Haziri, ditë më parë ka zbuluar dhe publikuar fakte se si RTK, sipas tij, ka marrë me qira 17 vetura me çmim mbi 517 mijë euro.
Haziri ka thënë se me këto para, siç ka thënë ai, do të bliheshin komplet ato vetura, e jo të merreshin me qira.
E pas këtij skandali, kanë nisur hetimet ndaj RTK-së.
Haziri: 17 vetura me qira i ka marrë RTK me çmim mbi 517 mijë euro, kjo është vjedhje klasike
Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Kosovës, ka nisur hetime ndaj Radio Televizionit të Kosovës rreth kontratës së RTK-së për marrjen me qira të 17 veturave në vitin 2019.
Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se dyshohet për parregullsi gjatë aktivitetit kontraktues.
“Në DHKEK jemi duke hetuar rastin sipas autorizimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, departamenti për Krime të Rënda, lidhur me aktivitetin tenderues me numër të prokurimit RTK-19-180-1-1-1 për marrjen e 17 veturave me qera nga RTK”, thuhet në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com.
Njësit hetuese kanë kërkuar nga RTK-së sqarime rreth procedurës së ndjekur në këtë tender.Radio Televizioni i Kosovës në vitin 2019 kishte nënshkruar kontratë me kompanin “ATLLAS-N” për marrjen me qera të 17 veturave, nga to 15 limozina për nevoja të RTK-së, një veturë për nevoja të drejtorit të përgjithshëm dhe një furgon (kombi) me një vlerë totale prej 517,140 eurove për shfrytëzim të tyre për pesë vite.
Hetimet ndaj RTK-së e ka bërë të ditur edhe vetë deputeti Haziri në një postim në Facebook.
“Me 22 qershor të këtij viti, në cilësinë e anëtarit të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, pata zbuluar një skandal të Menaxhmentit të RTK-së, për marrjen me qira të 17 veturave në vlerë mbi 517 mijë euro. E pata theksuar edhe atëherë, po e përsëris edhe tani: me 517 mijë euro këto vetura do të bliheshin, e lëre më të merreshin me qira. Sot, organet kompetente kanë nisur hetime ndaj kësaj kontrate. Qytetarë të dashur; e kemi obligim moral e qytetar që kurdoherë e nga kushdo që sigurojmë fakte të keqpërdorimit të parasë publike, t’i shpalosim. Paraja e qytetarëve duhet të trajtohet gjithmonë në mënyrë të shenjtë”, ka shkruar ai./Llapi.info







