Qendra e Mjekësisë Familjare në Podujevë (QKMF), ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vaksinimit të qytetarëve llapjanë kundër virusit korona, raporton Llapi.info.
Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e vetme në këtë QKMF, Bedri Rama.
“Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë janë bërë të gjitha përgatitjet për vaksinimin anti-covid. Presim të fillojmë vaksinimin brenda javës”, është shprehur Rama për Llapi.info.
Ndërkohë, mbi 250 raste të reja me koronavirus janë regjistruar për tetë ditë në këtë Komunë. Vetëm përgjatë 24-orëve të fundit janë konfirmuar 26 raste pozitive. Prej tyre, 20 janë në qytet, dy në fshatin Sekiraçë dhe me nga një rast në fshatrat; Bellopojë, Bradash, Katunishtë dhe Zakutë.
Rritja e rasteve ditore ka bërë që të rritet dukshëm edhe numri i rasteve aktive me COVID-19. Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Bedrie Rama, ka deklaruar për Llapi.info se tani për tani aktivë me koronavirus janë mbi 400 qytetarë.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 4 mijë. Deri tash janë raportuar 49 viktima, kurse mbi 3200 pacientë janë shpallur të shëruar.
Duhet theksuar se të dielën në mbrëmje ka arritur në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave kundër koronavirusit, në kohën kur Kosova po përballet me numër të lartë të të infektuarve.
Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se 24.000 dozat e vaksinës do të përdoren fillimisht për të vaksinuar punëtorët shëndetësorë të Klinikës Infektive. Ai tha se fushata e imunizimit do të nisë gjatë kësaj jave./Llapi.info






