Një 72-vjeçar nga Podujeva ka ndërruar jetë dhe 229 raste të reja me koronavirus janë regjistruar në javën që tashmë lamë pas në këtë Komunë, shkruan Llapi.info.
Brenda kësaj jave dhjetëra raste të reja u konfirmuan pozitive çdo ditë, ndërkohë që rekordi me të infektuar brenda një dite ishte të enjten. Në atë ditë, pozitivë rezultuan 54 qytetarë, shifër më e lartë e të infektuarve që nga shpërthimi i koronaviruirs në këtë Komunë. Thuajse në çdo fshat të Podujevës pati raste pozitive.
Vetëm përgjatë 24-orëve të fundin, në këtë Komunë, IKSHPK janë konfirmuar edhe 29 raste pozitive në Podujevë. Prej tyre, 13 janë në qytet, 3 në fshatin Surkish, dy raste në fshatrat; Lluzhan, Bellopojë dhe Sekiraçë dhe me nga një rast në fshatrat; Bradash, Gërdoc, Lupç i Poshtëm, Merdarë, Obrançë, Sfeçël dhe Zakutë.
Rritja e rasteve ditore ka bërë që të rritet dukshëm edhe numri i rasteve aktive me COVID-19. Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Bedrie Rama, ka deklaruar për Llapi.info se tani për tani aktivë me koronavirus janë mbi 426 qytetarë.
“Të dielën janë konfirmuar me virusin korona 29 qytetarë llapjanë. Këto raste të fundit bëjnë që në Podujevë tani të jenë 426 raste aktive me këtë virus”, është shprehur Rama.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 4 mijë. Deri tash janë raportuar 49 viktima, kurse 3247 pacientë janë shpallur të shëruar.
Në anën tjetër, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, nga e hëna e 22 marsit e deri të dielën më 28 mars, numri i rasteve të reja me COVID-19 ka qenë 5 mijë e 796, numri i të shëruarve 5 mijë e 332, kurse i të vdekurve 80.
Më së shumti të infektuar u konfirmuar të dielën, më 28 mars, 914 raste, shifër kjo që qoi në 13 mijë e 726 numrin e rasteve aktive në Kosovë.
Duhet theksuar se të dielën në mbrëmje ka arritur në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave kundër koronavirusit, në kohën kur Kosova po përballet me numër të lartë të të infektuarve.
Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se 24.000 dozat e vaksinës do të përdoren fillimisht për të vaksinuar punëtorët shëndetësorë të Klinikës Infektive. Ai tha se fushata e imunizimit do të nisë gjatë kësaj jave./Llapi.info






