Lokale - eSIMy

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, së bashku me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe tek memoriali i familjes Bogujevci dhe Duriqi me rastin e 22 vjetorit të masakrës në Podujevë, raporton Llapi.info.

Bogujevci ka thënë se pikërisht këto përkujtime, siç është shprehur ajo, duhet të shërbejnë që Kosovës t’i sigurohet një e ardhme më e ndritur.

“Sot nuk është ditë përkujtimi vetëm për familjen tonë, këto ditë të marsit, prillit dhe të muajve të tjerë janë ditë përkujtimi për shumë familje. Kjo tregon shumë se çka kemi përjetuar si popull. Kjo duhet të shërbej për neve që me dhënë maksimumin për një të ardhme më të mirë. Unë kam qenë fëmijë kur kam mbijetuar, por në mesin tonë në familje kemi shumë fëmijë që kanë lindur pas luftës. S’e kemi vetëm obligim që ta kemi lirinë e plotë për ata që kanë rënë për vend, por edhe për këta të rinjtë që i kemi sot, për të krijuar për një të ardhme më të mirë për ta. Këto ditë të shërbejnë si kujtesë e angazhimit tonë për t’ia dhënë më të mirën këtij vendi se e meriton”, ka thënë Bogujevci.

Pas homazheve, kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, është zotuar se nuk do të ndalen së kërkuar drejtësi për çdo civil të vrarë nga pushtuesit serbë.

“Nuk do të lëmë gurë pa lëvizur në mënyrë që drejtësia të vihet në vend”, është shprehur Osmani.

Ndërkaq, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka shtuar se Kosova nuk do t’i harrojë asnjëherë krimin dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.

“Pikërisht për këtë pikëllim që kurrë nuk do të hiqet, na bën më të vendosur që t’i shkojmë deri në fund drejtësisë dhe ta kërkojmë atë. Të gjithë martirët e rënë prehen të qetë vetëm atëherë kur drejtësia të vije në vend”, ka thënë ai./Llapi.info