Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës njëherësh edhe ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe tek memoriali i familjes Bogujevci dhe Duriqi me rastin e 22 vjetorit të masakrës në Podujevë, raporton Llapi.info.
Konjufca ka thënë se Kosova nuk do t’i harrojë asnjëherë krimin dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve, teksa ka thënë se për të këto nuk do ndalet së kërkuar drejtësi.
“Jemi këtu për të përkujtuar masakrën e tmerrshme të 28 marsit të vitit 99, ndaj familjes Boguejvci dhe Duriqi. Ne kurrë nuk do t’i harrojmë krimin dhe gjenocidin që na ka ndodhë. Sa herë vijmë këtu na kujtohet se sa i shtrenjtë ka qenë çmimi që e kemi paguar për lirimin e Kosovës. Kjo është një masakër ku shumica e të vrarëve janë fëmijë dhe gra. Kjo tregon për mizorinë e pashembullt të shtetin serb dhe për masat e gjenocidit ndaj popullit dhe kombit tonë, duke mos i kursyer as foshnjat, fëmijët, gratë e pleqtë. Pikërisht për këtë pikëllim që kurrë nuk do të hiqet, na bën më të vendosur që t’i shkojmë deri në fund drejtësisë dhe ta kërkojmë atë. Të gjithë martirët e rënë prehen të qetë vetëm atëherë kur drejtësia të vije në vend”, është shprehur ai.
Homazhe pranë këtij memoriali nën shoqërimin e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka bërë edhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deputetë llapjanë dhe qytetarë të tjerë./Llapi.info






