Lokale - eSIMy

Reshjet intensive të borës në ditët e fundit kanë vështirësuar qarkullimin e veturave në shumë pjesë të Kosovës, shkruan Llapi.info.

Nga këto të reshura disa prej vendeve kanë mbetur thuajse të bllokuara nga sasia e madhe e borës. Gjendjen jo fort të mirë s’e kanë as disa fshatra të Komunës së Podujevës, ndërkaq rrugët e qytetit janë tërësisht të kalueshme.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka deklaruar për Llapi.info se puna për t’i pastruar të gjitha rrugët është duke vazhduar në mënyrë intensive.

Ai ka thënë se qytetarë të zonave të ndryshme janë duke adresuar shqetësimin e tyre, ku s’janë pastruar ende.

“Jemi duke përcjellë nga afër kompanitë që janë të obliguara të bëjnë pastrimin e rrugëve, qytetarët janë duke adresuar vazhdimisht shqetësimet e tyre aty ku nuk janë pastruar ende rrugët. Kompanitë e kontraktuara nga Komuna për pastrimin e rrugëve janë në terren dhe po punojnë me kapacitete të plota. Qytetarët ankesat e tyre mund t’i paraqesin edhe tek Qendra e Thirrjeve “Alo Komuna”. Reshjet e dendura të borës që nga mbrëmë e kanë vështirësuar qarkullimin, por ne po punojmë intensivisht që të ketë qarkullim normal në trafik dhe mos të bllokohet asnjë qytetar dhe veturat të lëvizin lirshëm”, është shprehur Zhitia.

Edhe i pari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në një postim në Facebook ka thënë se të gjitha ekipet janë terren për t’i pastruar rrugët dhe trotuaret nga bora.

“Reshjet e parreshtura të borës dy ditët e fundit po e vështirësojnë qarkullimin e veturave në komunikacion. Të gjitha ekipet e Komunës janë në terren për pastrimin e rrugëve dhe po punojnë pa u ndalur për zhbllokim të rrugëve dhe qarkullim normal në trafik. Meqenëse reshjet janë të vazhdueshme ju bëj apel të keni kujdes të shtuar dhe të shmangni daljet e panevojshme”, ka shkruar ai.

Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të borës, në shumë pjesë të Kosovës rrugët janë bërë vështirë të kalueshme.

Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga të gjithë shoferët gjatë vozitjes, në përputhje me rregullat e komunikacionit dhe kushtet atmosferike.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka informuar se bora do të vazhdojë të bie edhe në pjesën e parë të javës, por intensitet i saj do të dobësohet nga dita e martë.

Sipas IHMK-së, mot i paqëndrueshëm dhe me temperatura nën vlerat e mesatareve do të vazhdojë deri ditën e enjte./Llapi.info