Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 16:30 në rrugën nacionale Prishtinë – Podujevë, respektivisht në fshatin Lluzhan, raporton Llapi.info.
Në këtë aksident janë përfshirë tri vetura, ku për pasojë kanë mbetur të lënduar pesë persona. Lajmin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 16:30, në rrugën Prishtinë-Podujevë (në fshatin Lluzhan) ka ndodhur një aksident rrugor në mes tri automjeteve në lëvizje. Bazuar në të dhënat e tanishme, janë lënduar pesë persona, të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore. Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve që kanë sjellë deri te ky aksident”, ka thënë Ahmeti,
Duhet theksuar se po ashtu sot në një aksident në Gllamnik kanë mbetur të lënduar tre persona.
Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh ka bërë të ditur se vetëm dje në nivel vendi kanë ndodhur 29 aksidente, prej tyre 10 kanë përfunduar me persona të lënduar./Llapi.info







