Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka prezantuar sot vendimet që janë marrë nga ekzekutivi gjatë 100 ditëve të qeverisjes së tij, raporton Llapi.info.
Bulliqi prezantimin e tyre e ka bërë gjatë një konference për medie, teksa këtë qeverisje 100 ditor e ka cilësuar si “Qeverisje e mirë”.
I pari i Podujevës ka thënë se sektori i Shëndetësisë ka qenë prioritet i tij, për çka, siç ka vlerësuar ai, është vendosur rend dhe rregull.
Me të ardhur në krye të kësaj Komune, Bulliqi ka thënë se është marrë vendim që të zgjerohet hapësira në qendrën anti-covid.
“Puna e parë që është bërë është zgjerimi i hapësirës së qendrës anti-covid. Në këtë qendër kemi pasur vetëm katër shtretër për të trajtuar këta pacientë dhe kemi krijuar hapësirë për t’iu dalë në ndihmë këtyre të sëmurëve. Kemi filluar shërbimin e patronazhit, i cili funksionon dhe është aktiv gjatë 24 orëve. Kemi krijuar shërbime të laboratorit dhe rëntgenit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Është bërë funksionalizimi i ultrazërit, i cili kap vlerën mbi 24 mijë euro”, është shprehur ai.
Bulliqi në kuadër të drejtorisë së Urbanizimit, ka përmendur ndërtimin e sheshit kryesor të qytetit.
Ai ka thënë se kanë nisur punimet në pjesën e dytë të sheshit në rrugën “Zahir Pajaziti”, i cili potencoi se me krijimin e kushteve atmosferike, do të përshpejtohet realizmi i këtij projekti në mënyrë që mos të humbin bizneset në zhvillimin e afarizimit.
“Ka filluar puna në shesh, faza e dytë dhe tashmë kemi një avancim të këtyre punimeve, dhe në momentin që krijohen kushtet atmosferike do ta përshpejtojmë realizmin e këtij projekti në mënyrë që mos t’iu bëhet pengesë e madhe bizneseve të cilat zhvillojnë afarizmin e tyre në hapësirë e këtij sheshi”, theksoi Bulliqi.
Bulliqi ka theksuar se në 100 ditshin e qeverisjes së tij është bërë dyfishim i të hyrave nga tatimi në pronë, në vlerë mbi 286 mijë euro.
Ai po ashtu tha se edhe arsimi është një fushë që është punuar mjaft në këto 100 ditë, që sipas tij janë ndarë 50 mijë për më shumë se 30 mijë ekzemplarë të lekturave shkollore, si dhe finalizimi i dy projekteve për rregullimi e hapësirave të jashtme.
Sipas kreut të Komunës, në këtë periudhë janë realizuar një serë projektesh edhe në sektorin e bujqësisë.
Në qeverisjen e tij po ashtu është krijuar platforma “alo” komuna për ankesat e qytetarëve.
Po ashtu sistemi i pritjes në radhë për shërbime më cilësore të qytetarëve.
“Vendosja e fotokopjueses brenda për shërbime të qytetarëve, si dhe janë trajtuar 3000 mijë kërkesa për qytetarët. Orari fleksibil i Administratës – qytetarët mund të marrin shërbime edhe gjatë orarit të pauzës. Mbulimi i qendrës së qytetit me valë të internetit Wi-fi”, ka thënë ai.
Bulliqi ka deklaruar se është krijuar Platforma E-shpenzimet, përmes së cilës shpenzimet e Komunës pasqyrohen në Web-Faqe duke u rritur, siç ka thënë ai, kështu transparenca për shpenzimet e parasë publike.
Ai ka shtuar se janë realizuar të hyra vetanake në vlerë 286.607 euro.
I pari i Podujevës, më tej, ka shtuar se në kuadër të Drejtorisë së Arsimit janë nënshkruar marrëveshje dhe memorandume, si ajo me Komunën Kestel të Turqisë dhe me Caritasin e Zvicrës./Llapi.info






