Një rregullore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve është ngritur nga Komuna e Podujevës, njofton Llapi.info.
Kjo rregullore është vënë nga komunarët në diskutim publik, ku flitet edhe për sigurinë e fëmijëve, shëndetin, edukimin, zhvillimin e fëmijëve.
“Me këtë rregullore përcaktohen rregullat dhe procedurat për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijës, në zbatim të Ligjit për mbrojtjen e fëmijës dhe kompetencave vetanake të Komunës së Podujevës, me qëllim të: mbrojtjes së fëmijës nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forma tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës”, thuhet në nenin 1 që flet për qëllimin të propozim-rregullores për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijës. “Përcaktimi i detyrave dhe përgjegjësive të subjekteve për mbrojtjen e fëmijës, si dhe mënyrës së koordinimit, raportimit dhe bashkëpunimit të tyre me qëllim të kontributit në sistemin për mbrojtjen e fëmijës, si dhe; kontributit në krijimin e një komunë mike për fëmijë”, thuhet në rregullore.
“Për të siguruar interesim më të mirë të fëmijës, duhet respektohen parimet e përcaktuara në Ligj dhe asnjë interpretim i supozuar i asaj se çka është në interesin më të mirë të fëmijës nuk mund të justifikojë shkeljen e çfarëdo të drejte të njohur nga Kushtetuta, Konventa, Ligji për shërbime sociale dhe familjare, si dhe ligjet tjera përkatëse”, thuhet në të njëjtin nen. “Përfaqësuesit ligjorë dhe subjektet për mbrojtjen e fëmijës në të gjitha fazat dhe në të gjitha veprimet dhe vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën, koordinojnë masat dhe veprimet e tyre për të siguruar interesin më të mirë të fëmijës”, thuhet tutje pos tjerash. Në këtë link mund ta lexoni rregulloren e plotë.
Ndërkohë, sic ka bërë të ditur Komuna e Podujevës, diskutimi publik për këtë rregullore do të mbahet 23 mars./Llapi.info






