Lokale - eSIMy

Është rritur numri i rasteve të reja me COVID-19 në Komunën e Podujevës. Vetëm përgjatë dy ditëve të fundit mbi 70 raste kanë rezultuar pozitive për virusin korona, raporton Llapi.info.

Me këtë rast, Shtabi Emergjent Komunal, në mbledhjen e mbajtur sot, ka kërkuar nga qytetarët që t’u përmbahen masave parandaluese të përhapjes së këtij virusi.

Në këtë takim u tha se është shqetësuese rritja e rasteve me të infektuar gjatë ditëve të fundit.

Epidemiologia Bedrie Rama tha se gjatë dy ditëve të fundit janë regjistruar 72 raste të reja me COVID-19 në Komunën e Podujevës. Ndërsa, aktualisht janë gjithsej 211 raste aktive, kurse që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 3,007 raste me virus, prej tyre 46 persona nuk i kanë mbijetuar këtij virusi.

Ndërkaq, togerja Valbona Blakçori – shefe e sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Podujevë, tha se policia është duke zbatuar planin operativ për zbatimin e masave mbrojtëse kundër COVID-19.

Ajo tha se kanë ashpërsuar masat ndaj qytetarëve dhe bizneseve për mos respektim të masave. Togerja Blakçori tha se në 11 ditët e para të këtij muaji kanë shqiptuar 215 gjoba për mos respektim të masave mbrojtëse.

Gjatë takimit u tha se në përgjithësi nuk janë duke u respektuar masat mbrojtëse sipas rekomandimeve të IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe si pasojë e kësaj ka rritje të numrit të infektuarve.

Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu kërkoi angazhim të të gjitha organeve kompetente, veçmas policia dhe inspektorati të jenë më aktivë në teren, në mënyrë që të zbatohen rekomandimet dhe respektohen masat mbrojtëse.

Në këtë aspekt u rekomandua që të organizohet një takim me pronarët e objekteve të gastronomisë-hotelerisë, transportuesve publikë dhe biznese të tjera dhe të paralajmërohen për masat më rigoroze që do të ndërmerren për ata që nuk respektojnë masat mbrojtëse./Llapi.info